
“Kam përjetuar luftën, krijon dashuri për vendin” – Anel Rashkaj për Kosovën dhe karrierën e tij si trajner
Nga një fëmijë që përjetoi luftën në Kosovë, në një talent të madh të futbollit suedez dhe më pas kapiten i parë i Kosovës – kjo është historia e Anel Rashkajt. Sot, ai është në fillim të një kapitulli të ri, si trajner dhe udhëheqës i brezave të rinj.
Rashkaj, i lindur në Halmstad të Suedisë, dikur u cilësua “një Zinedine Zidane i ri” nga Janne Andersson. Karriera e tij kaloi në Allsvenskan, Superettan, Norvegji e Finlandë, para se të bëhej figurë kyçe në futbollin kosovar.
Në vitin 2014, ai udhëhoqi Kosovën në ndeshjen e parë ndërkombëtare, një 0–0 historik ndaj Haitit në Mitrovicë.
“Kam përjetuar luftën. Nuk e dija nëse do të jetonim edhe një ditë tjetër. Kjo krijon një dashuri të fortë për vendin tënd”, rrëfen ai.
Në vitet e tij si futbollist, Rashkaj la Suedinë për të përfaqësuar Kosovën, edhe pse atëherë nuk kishte ende një ekip zyrtar nga FIFA dhe UEFA.
“Ishte sakrificë, pesë vite pa ndeshje zyrtare, por nuk pendohem. Ishte një udhëtim historik”, deklaron Rashkaj për Aftonbladet.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai nisi rrugën e trajnerit, fillimisht me ekipin P15 në Norvegji gjatë një dëmtimi, më pas duke marrë UEFA A në Stokholm. Sot drejton U17 të Halmstadit dhe është ndihmës-trajner i Kosovës U19.
“Ndjeva që ishte diçka për mua. Dua të zhvilloj futbollin e Kosovës, të kombinoj kreativitetin tonë me disiplinë dhe strukturë”, nënvizon Rashkaj.
Ai sheh idhuj te trajnerët si Pep Guardiola, Diego Simeone dhe Hansi Flick, por synon të ndërtojë stilin e tij.
“Nuk kam nxitim, dua të mësoj hap pas hapi. Të punoj me të rinjtë është mënyra më e mirë për të ndërtuar përvojë”, ka deklaruara Rrashkaj për mediumin suedez.
Sot, Rashkaj ndan jetën mes Suedisë dhe Kosovës, mes familjes së tij me katër fëmijë dhe detyrave si trajner. Ai mbetet një figurë e veçantë për futbollin kosovar – një kapiten që shkroi historinë dhe tani përgatit brezin që do ta vazhdojë atë.
Fanellën e parë dhe shiritin e kapitenit nga ndeshja debutuese? “I kam ende. Janë të miat. Dhe do të mbeten përgjithmonë”, përfundoi kapiteni legjendat i Kosovës. /telegrafi/