Verstappeni fiton Çmimin e Madh të Italisë

Verstappeni fiton Çmimin e Madh të Italisë

Sport September 07, 2025 - 18:42

Piloti i Red Bullit, Max Verstappen, ka triumfuar të dielën në garën e Çmimit të Madh të Italisë në pistën e Monzës.

Verstappen e përfundoi garën me kohë 1:13:24.325, duke lënë pas vetes pilotin e McLarenit, Lando Norris, me një diferencë prej 19.2 sekondash. Shoku i skuadrës së Norrisit, Oscar Piastri, u rendit i treti.

“Ishte një ditë e shkëlqyer për ne. Një realizim fantastik nga i gjithë ekipi. Mendoj se gjatë gjithë fundjavës ishim shumë mirë dhe është kënaqësi e madhe të fitojmë këtu”, deklaroi Verstappen pas garës, raporton Dukagjini.

Në renditjen e përgjithshme, Oscar Piastri vazhdon të kryesojë me 324 pikë, i ndjekur nga Lando Norris me 293 pikë, ndërsa Max Verstappen ngjitet në vendin e tretë me 230 pikë.

Gara e radhës do të zhvillohet pas dy javësh në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit.