Vedat Bajrami: Edon Zhegrova e zgjodhi me zemër Juventusin, refuzoi edhe Premierligën

Vedat Bajrami: Edon Zhegrova e zgjodhi me zemër Juventusin, refuzoi edhe Premierligën

Sport September 07, 2025 - 14:33

Vedat Bajrami, një nga njerëzit më të afërt të Edon Zhegrovës, e ka dhënë një intervistë për Antonella Pira, udhëheqës i kanalit “Il Bianconero” në Youtube.

Bajrami ka treguar se Zhegrova kërkohej edhe në Premierligë, në Francë, kurse në Itali, Napoli ishte më i interesuari.

Ai thotë se shenja interesimi kishin shfaqur edhe Milani e Roma, por ylli dardan e ka zgjedhur me zemër Juventusin.

“Express” ua sjellë intervistën e plotë të Bajramit:

Si erdhi zgjedhja për Juventusin?

Edoni gjithmonë ka pasur njohuri të gjera për futbollin evropian. Ai u rrit duke ndjekur klubet e mëdha në Itali, Spanjë, Angli e Gjermani. Në fund, dëgjoi zemrën e tij: Juventus ishte zgjedhja e duhur.

Pse pikërisht Juventus?

Sepse kur dëgjon zemrën tënde, nuk ke dyshime. Zemra e tij rreh për Juventusin. Ai nuk mungon kurrë në energji dhe vendosmëri, dhe ky vendim erdhi instinktivisht e natyrshëm.

A pati klube të tjera të interesuara?

Po, disa klube nga Premierliga e ndoqën me kujdes. Napoli ishte shumë i interesuar, ashtu si Marseille. Gjithashtu edhe Milan e Roma shfaqën shenja interesi.

Kur nisi seriozisht kontakti me Juventusin?

Ishte një udhëtim plot emocione dhe momente stresuese deri në ditën e fundit të merkatos. Më 31 gusht gjithçka u mbyll, dhe çdo sakrificë e bërë e çoi Edonin te fanella bardhezi.

Ditët e para në Torino

Edoni është ambientuar shpejt. Ai e pëlqen klimën, ushqimin dhe bukurinë arkitektonike të qytetit. Ka gjetur staf shumë profesionist te Juventusi dhe një mikpritje të ngrohtë nga vendasit.

Takimi me Alessandro Del Piero

Një moment i veçantë dhe emocionues. Edoni adhuron njerëzit e thjeshtë e autentikë, dhe Del Piero është pikërisht i tillë: një legjendë që di të jetë i përulur. Ata u argëtuan së bashku dhe pati respekt të madh reciprok.

Përshtypjet nga tifozët dhe shokët e skuadrës

Ai u mahnit nga pritja e tifozëve, të cilët i dhanë energji pozitive. Një episod interesant ndodhi ditën e dytë, kur gjatë rrugës për në Paris për dokumentet, të gjithë punonjësit e aeroportit të Torinos kërkuan foto me të. Në Francë, shumë njerëz menduan se po kthehej për të luajtur atje, por Edoni buzëqeshi dhe tha se e do Italinë dhe klimën e saj. Sa i përket dhomës së zhveshjes, jo të gjithë lojtarët ishin të pranishëm për shkak të grumbullimeve me kombëtaret, por ai menjëherë gjeti harmoni me tre portierët e Juventusit, të cilët e mirëpritën ngrohtësisht dhe e njohën me kulturën torineze.

Mesazhi për tifozët bardhezi

Dua të përshëndes personalisht të gjithë stafin e Juventusit dhe tifozët bardhezi. U rrita duke admiruar klubet e mëdha italiane dhe kam kujtime të mrekullueshme nga legjenda si Pirlo, Maldini, Nesta, Del Piero, Totti, Buffon e shumë të tjerë. Që sot, edhe unë jam një fans Fino alla Fine. Ju dëshiroj një sezon plot fitore e kënaqësi.