Amir Rrahmani pritet t’i mungojë Kosovës në sfidën ndaj Suedisë
Foto: Laura Hasani

Amir Rrahmani pritet t’i mungojë Kosovës në sfidën ndaj Suedisë

Sport September 06, 2025 - 19:02

Amir Rrahmani, kapiteni i Kombëtares së Kosovës, e përfundoi para kohe ndeshjen kundër Zvicrës, e cila përfundoi me një humbje të thellë 4-0 në Bazel, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Deri tani nuk është dhënë ndonjë konfirmim zyrtar për gjendjen e tij fizike, por dyshohet se mbrojtësi ka pësuar një tërheqje muskulore, duke e detyruar ta lërë ndeshjen në pjesën e parë. 

Sipas gazetës italiane Il Mattino, Rrahmani tashmë ka kontaktuar ekipin mjekësor të Napolit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet më herët se sa ishte planifikuar në klubin e tij. 

Kjo mund të nënkuptojë që ai nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e radhës të Kosovës ndaj Suedisë. 

Gjendja e tij, raporton gazeta, do të vlerësohet hap pas hapi dhe mundësia e një rikthimi të hershëm në Napoli për Amir Rrahmanin nuk mund të përjashtohet nëse testet tregojnë se ai nuk është në gjendje të luajë në ndeshjen e ardhshme të Kosovës.  

Sidoqoftë, duket se kjo nuk është një çështje e vogël dhe ai është në rrezik serioz për ndeshjen e Serie A kundër Fiorentinës pas pushimit ndërkombëtar.