Kosova nis sonte misionin për kualifikim në Botëror, përballet me Zvicrën në Basel

Kosova nis sonte misionin për kualifikim në Botëror, përballet me Zvicrën në Basel

Sport September 05, 2025 - 13:18

Kombëtarja e Kosovës do ta nisë sonte misionin për kualifikim në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.

Në Basel “Dardanët” do të përballen me Zvicrën me fillim nga ora 20:45.

Kosova është në Grupin B të kualifikimeve së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Ndonëse sipas renditjes së FIFA-s, Kosova është e renditur më së largu, në pozitën e 95-të, gjasat që “Dardanët” të marrin rezultate pozitive ndaj këtyre kundërshtarëve janë reale.

Në nëntë ndeshjet e fundit, Kosova ka tetë fitore dhe një humbje, edhe ajo me rezultat zyrtar nga Rumania. Gjatë kësaj periudhe, Kosova arriti promovimin në Ligën B, pasi mposhti Islandën në play-off.

Sonte në stadiumin e Baselit pritet të ketë një numër të madh të tifozëve shqiptarë që do të jenë në përkrahje të Kosovës.

Edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin tha se tifozeria sonte do të ndahet përgjysmë, teksa u shpreh se më nuk do të ketë duel vëllazëror me ta dhe lavdëroi Kosovën për formën në të cilën po kalon.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u shpreh optimist në konferencën për media dhe tha se Kosova nuk do të shkojë për t’u mbrojtur në këtë ndeshje.

Tri ditë më vonë, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presë Suedinë në ndeshjen e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.