
Portali slloven: Kosova po përforcohet ndjeshëm para përballjes ndaj nesh
Portali slloven i sportit, ndër më të vizituarit në vend, “Nogomania”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kombëtaren e Kosovës në futboll.
Ky medium kujton se Federata e Futbollit e Kosovës ka arritur të natyralizojë dy futbollistë që do të jenë një aset i madh për rivalët e Sllovenisë në grup për kualifikimet e Kupës së Botës.
Ekipi kombëtar slloven do të luftojë për një vend në Kupën e Botës në një grup me Suedinë, Zvicrën dhe Kosovën, dhe në ciklin e shtatorit do të luajë dy ndeshjet e para kundër Suedisë në shtëpi dhe Zvicrës jashtë fushe, transmeton Klankosova.tv.
Sipas “Nogomania”, Sllovenia do të përballet me Kosovën në raundin e tretë si mysafir, për të cilën kombëtare thotë se do të forcohet ndjeshëm, pasi FIFA dje konfirmoi ndryshimin e shtetësisë për dy futbollistë të shkëlqyer, të cilët tani do të jenë në gjendje të luajnë për “Dardanët”.
I pari është mesfushori i Hoffenheimit, Leon Avdullahu, i cili u transferua nga Bazeli në këtë klub gjerman këtë verë për 8 milionë euro, por përndryshe ai është një futbollist që është rritur në Zvicër dhe deri më tani ka qenë një anëtar standard i përzgjedhjeve të të rinjve zviceranë.
Vlera e tij aktuale në treg vlerësohet në deri në 10 milionë euro.
Një tjetër lojtar i sapoardhur është 22-vjeçari Veldin Hoxha, një mesfushor i lindur në Rijekë të Kroacisë, i cili luajti deri në 24 ndeshje për ekipin kombëtar kroat U21. Hoxha tani do të jetë në gjendje të luajë për Kosovën, i cili aktualisht është anëtar i klubit rus Rubin Kazan.