
Shkëlqeu me dy gola ndaj Ferizajt, Valentin Serebe “Ylli i Javës” në Superligë
Futbollisti i FC Ballkanit, Valentin Serebe, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e tretë në Superligë.
Ky vlerësim iu dha pas paraqitjes së tij vendimtare në ndeshjen ndaj FC Ferizajt, ku Serebe realizoi dy gola në fitoren 1:3 të suharekasve në udhëtim.
Golat e tij ishin vendimtarë për sigurimin e tre pikëve.
Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Milaim Humolli, Besim Slishani dhe Murat Zejnullahu, vendosi që çmimi t’i takojë sulmuesit të Ballkanit, thuhet në njoftimin e FFK-së në Facebook.
Pas pranimit të çmimit, Serebe u shpreh i lumtur për këtë vlerësim dhe suksesin e ekipit.
“Gjithçka po shkon mirë. Shënova dy gola dhe jam shumë i lumtur e i kënaqur me këtë ndeshje. Suhareka është një vend i qetë dhe të gjithë më kanë pritur mirë. Qëllimi i klubit është të mbyllim sezonin si kampionë dhe të fitojmë kampionatin. Sa më përket mua, ambicia ime është të jem golashënuesi më i mirë”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.