Kombëtarja shqiptare grumbullohet në Spanjë, po bëhet gati për sfidat e shtatorit

Kombëtarja shqiptare grumbullohet në Spanjë, po bëhet gati për sfidat e shtatorit

Sport September 02, 2025 - 10:47

Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e djeshme stërvitjen e parë në kuadër të grumbullimit për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Sylvinho realizoi ushtrime aktivizuese dhe skema tekniko-taktike, ku 20 lojtarë u stërvitën në mënyrë të rregullt, ndërsa Rey Manaj, Mirlind Daku dhe Arlind Ajeti iu bashkuan grupit në pasditen e vonë, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.

Nga dita e sotme do të jenë në dispozicion të stafit teknik edhe Cristian Shpendi dhe Enis Çokaj, duke e plotësuar kështu grupin tërësisht.

Kombëtarja shqiptare është duke i zhvilluar përgatitjet në Malaga të Spanjës për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit në udhëtim më 4 shtator dhe më pas ndaj Letonisë më 9 shtator në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

FSHF-ja tutje njofton se biletat për sfidën zyrtare të kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026 mund të blihen online në adresën ebileta.al në si edhe në biletarinë fizike që ndodhet në hyrjen qendrore të stadiumit “Air Albania” në Tiranë. /Express