
Drita merr epërsinë ndaj Differdanges, Besnik Krasniqi shënon nga penalltia
Kampioni i Kosovës, Drita, ka kaluar në epërsi në Luksemburg ndaj Differdange (1-0), në ndeshjen e kthimit të play-offit të Ligës së Konferencës.
Fillimi i ndeshjes u karakterizua me një ndërhyrje të rëndë, ku pastaj me karton të kuq u përjashtua sulmuesi i Differdange, Andreas Buch.
Rastin e parë të mirë e kishte Drita, kur në minutën e 26-të, Ilir Mustafa provoi fatin me një gjuajtje, por goditi traversën.
Në minutën e 62-të, Besnik Krasniqi ishte i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar për 1-0 dhe duke forcuar edhe më shumë pozitën e gjilanasve, të cilët kishin fituar 2-1 në ndeshjen e parë në Gjilan.
Pas golit, Differdange u hodh në sulm, por portieri Faton Maloku reagoi në mënyrë fantastike me dy pritje vendimtare, duke ruajtur epërsinë dhe duke i dhënë siguri skuadrës së tij.
Me këtë rezultat, Drita është shumë pranë kualifikimit historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një arritje e madhe për futbollin kosovar.