Drita pranë historisë, por edhe miliona eurove – kalimi në grupet e Ligës së Konferencës mbush arkat e gjilanasve

Drita pranë historisë, por edhe miliona eurove – kalimi në grupet e Ligës së Konferencës mbush arkat e gjilanasve

Sport August 28, 2025 - 16:42

Nëse Drita arrin të sigurojë kualifikimin historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, klubi gjilanas jo vetëm që do të shkruante një kapitull të artë në historinë e tij, por do të përfitonte edhe shuma të mëdha financiare.

Sipas rregullave të UEFA-s, vetëm pjesëmarrja në fazën e grupeve garanton një shumë fikse prej 3 milionë e 170 mijë eurosh.

Kjo shumë është e ndarë nga shpërblimet e tjera dhe përfaqëson një injeksion të jashtëzakonshëm financiar për një klub nga Kosova.

Por përfitimet nuk ndalen këtu. Drita do të zhvillonte gjashtë ndeshje në fazën e grupeve, ndaj kundërshtarëve nga liga të ndryshme evropiane.

Çdo rezultat pozitiv do të shpërblehej shtesë: 400 mijë euro për çdo fitore dhe 133 mijë euro për çdo barazim.

Këto shuma e rrisin ndjeshëm potencialin financiar të klubit, duke i dhënë mundësi jo vetëm për përforcime të reja, por edhe për zhvillimin afatgjatë të infrastrukturës dhe akademisë së futbollit, plan që Drita e ka tash e sa vite.

Vetëm nga fazat paraprake, Drita tashmë e ka të siguruar shumën prej 1.710.000 euro, falë kualifikimeve të deritanishme në garat evropiane. Kjo e bën klubin gjilanas njërin ndër përfituesit më të mëdhenj në historinë e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pasi vetë Ballkani ka fituar më shumë.