Zyrtare: Dortmundi huazon mbrojtësin e Chelseat, Aaron Anselmino

Zyrtare: Dortmundi huazon mbrojtësin e Chelseat, Aaron Anselmino

Sport August 27, 2025 - 14:49

Dortmundi ka njoftuar se është përforcuar me mbrojtësin e Chelseat, Aaron Anselminon.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi, përmes një njoftimi në platformën X.

Mbrojtësi 20-vjeçar do të jetë pjesë e Dortmundit deri më 30 qershor të vitit 2026.

“Borussia Dortmund i është përgjigjur situatës së tensionuar të personelit në mbrojtjen qendrore duke nënshkruar me Aaron Anselmino, një lojtar ndërkombëtar argjentinas U20, nga Chelsea. Huazimi i 20-vjeçarit është i kufizuar deri më 30 qershor 2026”, thuhet në komunikatën e klubit gjerman.

“Për shkak të lëndimeve të Emre Can, Nico Schlotterbeck dhe Niklas Süle, u detyruam të bënim rregullime në qendërmbrojtës. Aaron Anselmino ka fituar tashmë përvojë në divizionin e parë në vendin e tij dhe ka potencial të madh. Nuk ishte rastësi që Chelsea nënshkroi me të një kontratë jashtëzakonisht afatgjatë verën e kaluar”, tha drejtori menaxhues i Borussia Dortmund, Lars Ricken.

“Ne e vëzhguam Aaron gjatë kohës së tij te Boca Juniors. Ai është një zgjidhje shumë e mirë për situatën tonë aktuale. Ai është një lojtar i talentuar që ka demonstruar cilësinë e tij në një moshë të re, madje edhe në stadiume shumë emocionale. Do ta integrojmë shpejt sepse kemi nevojë për të menjëherë dhe mezi presim ta shohim Aaron me fanellën e zezë dhe të verdhë këtë sezon”, theksoi drejtori sportiv i BVB-së, Sebastian Kehl.

Anselmino, i cili do të veshë numrin 28 për zinj e të verdhë, përfundoi me sukses testet mjekësore të detyrueshme dje dhe mund të debutojë në “Signal Iduna Park” fundjavën e ardhshme në ndeshjen në shtëpi kundër Union Berlin.

“Mezi pres të luaj për Borussia Dortmund dhe do të jap gjithçka që të kem sukses me këtë klub të madh dhe tifozët e tij fantastikë”, tha argjentinasi i ri. /Zëri