Trajnerët italianë të futbollit kërkojnë pezullimin e Izraelit nga kualifikueset e Botërorit

Trajnerët italianë të futbollit kërkojnë pezullimin e Izraelit nga kualifikueset e Botërorit

Sport August 24, 2025 - 19:54

Shoqata e Trajnerëve të Futbollit të Italisë (AIAC) po kërkon që Izraeli të pezullohet nga garat ndërkombëtare për shkak të luftës në Gaza.

Përpara dy ndeshjeve vendimtare të Italisë kundër Izraelit në muajt e ardhshëm, AIAC thotë: “Izraeli duhet të ndalet. Futbolli duhet gjithashtu të marrë masa.”

AIAC ka dërguar një letër zyrtare te Federata Italiane e Futbollit, që do t’i përcillet organeve drejtuese të futbollit evropian dhe botëror, duke kërkuar pezullimin e Izraelit.

“Bordi Drejtues i AIAC beson njëzëri se, duke parë masakrat e përditshme, të cilat kanë sjellë gjithashtu qindra viktima mes drejtuesve, trajnerëve dhe sportistëve … është legjitime, e nevojshme, madje detyrim, që në qendër të diskutimeve federative të vihet kërkesa, e cila duhet t’i paraqitet UEFA-s dhe FIFA-s, për përjashtimin e përkohshëm të Izraelit nga garat sportive,” përfundon letra.

Italia pritet të luajë kundër Izraelit në terren neutral në Debrecen të Hungarisë më 8 shtator, përpara se të presë ndeshjen e kthimit në Udine më 14 tetor.

Azzurrët luajtën gjithashtu kundër Izraelit në Udine tetorin e kaluar në një ndeshje të Nations League, që u shoqërua me protesta para dhe gjatë lojës dhe me masa të rrepta sigurie, përfshirë snajperë në çatinë e stadiumit.

Ndryshe, tabloidi gjerman Bild raportoi së fundmi se skuadra e Bundesliga 2, Fortuna Dusseldorf, u tërhoq nga nënshkrimi i sulmuesit izraelit Shon Weissman, në përgjigje të zemërimit të tifozëve për postimet e tij në rrjetet sociale lidhur me luftën në Gaza.

\