
Klubet e Premierligës kanë shpenzuar deri tani 2.6 miliardë euro, më shumë se pesë ligat e tjera së bashku
Pothuajse me siguri, Liga Premier do të thyejë rekordin e shpenzimeve nga viti i kaluar. Prej vitesh klubet angleze kanë qenë lider në tregun e transferimeve, por këtë verë e kanë tejkaluar veten.
Më pak se dy javë para përfundimit të afatit kalimtar, klubet e elitës angleze kanë shpenzuar plot 2.615 miliardë euro, më shumë sesa katër ligat tjera të mëdha evropiane së bashku, raporton BBC.
Në krahasim, La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1 së bashku kanë shpenzuar 2 miliardë e 557 milionë euro. Me disa lëvizje të tjera të pritshme, anglezët pritet ta thyejnë rekordin e vitit 2023, kur investuan 2.730 miliardë euro.
Ky afat kalimtar u dominua nga kampionët e Liverpoolit, që shpenzuan 340 milionë euro për përforcime. “Të Kuqtë” realizuan edhe dy nga tre transferimet më të shtrenjta të verës: Florian Wirtz erdhi nga Bayer Leverkusen për 125 milionë euro (me bonuset që mund ta çojnë shifrën në afër 150 milionë), ndërsa Hugo Ekitike iu bashkua nga Eintracht Frankfurt për 95 milionë euro.
Transferimi i tretë më i kushtueshëm ishte ai i sulmuesit slloven Benjamin Sesko, për të cilin Manchester United pagoi Leipzigut 76.5 milionë euro, plus bonuse prej 8.5 milionë. Për nga shpenzimet, pas Liverpoolit qëndron Chelsea (280 milionë euro), më pas Man United (230 milionë euro), Arsenal (224 milionë euro) dhe Manchester City (177 milionë euro).
Në Evropë, vendin e dytë për shpenzime e mban Serie A italiane me 906 milionë euro. Juventus kryeson me 118 milionë euro, i ndjekur nga Milani (111 milionë euro) dhe surpriza Como (104 milionë euro).
Bundesliga renditet e treta me 643 milionë euro. Interesant është fakti që këtë herë Bayern Munich nuk ishte lider, duke shpenzuar vetëm 72 milionë euro. Bayer Leverkusen shpenzoi më shumë (116 milionë euro), ndërsa Leipzig investoi 112 milionë euro.
La Liga pati një verë më të qetë me vetëm 523 milionë euro të shpenzuara. Atletico Madrid ishte klubi më aktiv (175 milionë euro), duke lënë pas Real Madridin (167 milionë euro).
Në fund të listës qëndron Ligue 1 me 493 milionë euro. Edhe kampionët evropianë PSG treguan kujdes në shpenzime, duke investuar vetëm 103 milionë euro. /Telegrafi/