
Arne Slot prek zemrat: Kur rezultati ishte 2-2, do të doja ta fusja në lojë Jotën
Arne Slot thotë se “do të kishte dashur” ta fuste në lojë Diogo Jotën në një rrëfim prekës pas fitores dramatike 4-2 të Liverpoolit ndaj Bournemouthit të premten.
“Të Kuqtë” u gjendën në kërkim të një goli të vonshëm për fitoren, pasi epërsia prej dy golash iu fshi nga një dopietë e Antoine Semenyos në pjesën e dytë, në ndeshjen hapëse të sezonit 2025/2026 në Ligën Premier.
Në një zëvendësim frymëzues, Slot iu drejtua Federico Chiesës në momentin vendimtar, dhe reprezentuesi italian bëri atë që di të bëjë më së miri, duke kaluar Liverpoolin në epërsi 3-2, përpara se Mohamed Salah të shtonte të katërtin, duke vulosur tre pikët për skuadrën nga Anfield.
Megjithatë, Slot pranoi pas ndeshjes se do të kishte dashur ta fuste në lojë Jotën, 28-vjeçar, i cili humbi jetën tragjikisht bashkë me vëllain e tij, Andre Silva, 25-vjeç, në një aksident automobilistik në Spanjë gjatë muajit korrik.
“Normalisht, në 2-2, të gjithë e dinë se cilin lojtar shikoj në ato momente”.
“Do të kisha dashur ta fusja në lojë Diogo Jotën, por nuk munda, për arsye tragjike”
“Por sonte, tifozët dhe lojtarët bënë atë që ai ka bërë për ne shumë herë në të kaluarën”, ka thënë Slot.