
Tri skuadra shqiptare mbajnë gjallë ëndrrën evropiane: Drita, Dinamo City dhe Shkëndija në play-off
Ishin 10, mbetën vetëm tri. Drita nga Kosova, Dinamo City nga Shqipëria dhe Shkëndija nga Maqedonia e Veriut janë tri skuadrat shqiptare që kanë mbetur ende në garë për kualifikim në Evropë.
Shkëndija i ka punët më së miri, pasi që e ka siguruar kualifikimin në fazën e ligës në Ligën e Konferencës, por do të synojë më lart.
Ekipi shqiptar nga Tetova luan në play-offin e Ligës së Evropës, ku do të përballet me skuadrën bullgare, Ludogorets.
Kampionia e Kosovës, Drita u eliminua mbrëmë në raundin e tretë kualifikues në Ligën e Evropës, kurse do të vazhdojë garën në play-offin e Ligës së Konferencës, aty ku do të ketë punë me ekipin nga Luksemburgu, Differdange, të cilin e kishte eliminuar pak javë më herët nga kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, ekipi nga Shqipëria, Dinamo City shkroi histori, duke u kualifikuar në play-off të Ligës së Konferencës, pasi eliminoi mbrëmë gjigantin kroat, Hajduk Split.
Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja e siguroi kualifikimin tutje pas vazhdimeve, teksa në play-off do të ketë punë me skuadrën polake, Jagiellonia.
Ndeshjet e para luhen më 21 gusht, kurse ato të kthimit një javë më vonë.