
Ardon Jashari flet për Granit Xhakën: Na lidhin rrënjët shqiptare dhe dëshira për fitore
Transferimi i ri i Milanit, Ardon Jashari, ka folur në një konferencë për media në lidhje me transferimin e tij te “Rossonerët”.
Në mesin e shumë temave të diskutuara, Jashari është pyetur nga gazetarët edhe për raportin që ka me Granit Xhakën.
Jashari u shpreh se me Xhakën atë e lidh diçka më shumë se vetëm futbolli në kombëtaren e Zvicrës, pra rrënjët shqiptare.
“Mendoj se Granit Xhaka ka pas vetes një karrierë të madhe, por vazhdon të jetë një lojtar i jashtëzakonshëm. Kam mësuar shumë prej tij, por ajo që na lidh neve të dy është prejardhja jonë shqiptare dhe rrënjët tona”.
“Besoj se jemi rritur me atë lloj ‘grinte’ dhe fuqie brenda nesh, me atë zjarr që na shtyn të duam të fitojmë gjithçka që është e mundur, qoftë në një ndeshje futbolli apo diçka tjetër”, ka thënë Jashari fillimisht.
“E kemi në zemër, në trupin tonë. Kur zbresim në fushë, duam ta fitojmë atë ndeshje. Dhe këtë ndjenjë dua t’ia transmetoj skuadrës nga ana ime, që ekipi ta ndjejë atë zjarr në fushë”.
“Sa më shumë ta kemi atë energji, aq më shumë ndeshje do të fitojmë. Sepse ndonjëherë nuk është vetëm çështje futbolli, por emocionesh. Shpeshherë skuadra që e dëshiron më shumë fitoren, e arrin atë”, përfundoi ai.