Klubi kroat i ndërpret kontratën portierit serb sepse i pëlqenin faqet e çetnikëve në Instagram

Klubi kroat i ndërpret kontratën portierit serb sepse i pëlqenin faqet e çetnikëve në Instagram

Sport August 07, 2025 - 20:08

Klubi kroat, HNK Vukovar 1991 ka njoftuar sot ndërprerjen e kontratës me portierin 18-vjeçar Srdan Nedic, i cili pritej të debutonte në ndeshjen kundër GNK Dinamo Zagreb. Vendimi erdhi pasi drejtuesit e klubit u informuan se lojtari kishte ndjekur në Instagram profilin “Chetnici 1941”, i njohur për përmbajtje që bie ndesh me vlerat e klubit.

Profili i përmendur ka 12 postime dhe 45 ndjekës. Në përshkrim thuhet: “Faqja zyrtare e patriotizmit. Patriotizëm dhe dashuri për mbretin dhe atdheun. Kosova Serbi”, shkruar me alfabetin cirilik. Një nga postimet e fundit është një fotografi e gjeneralit serb Draza Mihajlovic, udhëheqës i lëvizjes çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruan index.hr.

“HNK Vukovar 1991 dëshiron të informojë publikun se, menjëherë pasi mori dijeni për veprime që bien ndesh me vlerat dhe standardet tona, ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe ka ndërprerë kontratën me lojtarin Srdan Nedic”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Si klub i ndërtuar mbi respektin, përgjegjësinë dhe integritetin, besojmë se një sjellje e tillë është e papranueshme dhe nuk përfaqëson vlerat për të cilat qëndrojmë. U kërkojmë ndjesë tifozëve, partnerëve dhe publikut që nuk arritëm të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm në kohën e duhur për të mbrojtur dinjitetin dhe reputacionin e klubit. Edhe pse investojmë përpjekje të mëdha për të siguruar sjellje profesionale nga të gjithë anëtarët tanë, nuk kemi kontroll mbi aktivitetet e tyre private jashtë klubit”.

“HNK Vukovar 1991 mbetet i përkushtuar ndaj parimeve dhe vlerave që e udhëheqin dhe do të reagojë pa kompromis ndaj çdo rasti që i sfidon ato”, thuhet mes tjerash në njoftimin e HNK Vukovar.

Nedic ishte parashikuar të debutonte për ekipin e parë pikërisht në sfidën ndaj Dinamos, që do të zhvillohet të premten në ora 21:00 në stadiumin Maksimir, për raundin e dytë të SuperSport HNL. Dinamo konsiderohet favorit absolut. Në raundin e parë, Dinamo mposhti Osijekun me rezultat 2-0, ndërsa Vukovari u mund nga Lokomotiva me rezultat 1-0.

Image

 

\