
Lamine Yamal përflitet për një romancë me yllin argjentinas Nicki Nicole
Vetëm pak ditë pasi festoi 18-vjetorin me stil, Lamine Yamal po bën bujë – këtë herë jo për arritje në fushën e futbollit, por për një lidhje të mundshme dashurie me këngëtaren e famshme argjentinase Nicki Nicole.
Sipas raportimeve në mediet rozë spanjolle, ylli i ri i Barcelonës dhe reperja e njohur janë parë bashkë pas festës luksoze të ditëlindjes së Yamal, ku Nicki Nicole ishte ndër të ftuarat speciale.
Por, sipas gazetarit të njohur Javi de Hoyos, lidhja e tyre ka shkuar përtej një takimi rastësor.
“Në festë kishte vetëm flirtim”, tregoi Hoyos. “Por disa javë më vonë, më 24 korrik, ata u panë bashkë në një beach club. U puthën dhe u larguan së bashku në orën katër të mëngjesit”.
Artistja 24-vjeçare, e njohur për hitet si “Wapo Traketero” dhe “Ella No Es Tuya”, nuk është e re në lidhjet me emra të njohur.
Vetëm pak muaj më parë ajo u përfol për një romancë me mesfushorin e Chelseat dhe Argjentinës, Enzo Fernandez, pak pasi ai u nda publikisht nga partnerja e tij e gjatë, Valentina Cervantes.
Enzo dhe Nicki u filmuan duke biseduar në një klub nate në Buenos Aires, ndërsa flirtet e tyre në rrjete sociale ndezën edhe më shumë thashethemet.
Megjithatë, ajo histori duket se është shuar – dhe tashmë vëmendja është e gjitha te Yamal.
Nicki Nicole, emri i vërtetë i së cilës është Nicole Denise Cucco, vjen nga Rosario i Argjentinës dhe u bë e famshme që në moshë të re, fillimisht në skenat e betejave të rap-it.
E njohur për stilin e saj të drejtpërdrejtë dhe qëndrimet e forta, ajo ra në sy edhe për tatuazhin që bëri në qafë në moshën 18-vjeçare, ku shkruhet “bulls***” – një deklaratë kundër pritshmërive që shoqëria argjentinase vendos mbi gratë.
Personaliteti i saj pakompromis dhe suksesi i vazhdueshëm në muzikë e kanë kthyer në një ikonë ndërkombëtare.
Në vitin 2021, kënga e saj “Ella No Es Tuya” u përfshi në listën e verës të ish-presidentit amerikan Barack Obama.
Ajo ka performuar në The Tonight Show with Jimmy Fallon dhe ka ngjitur skenën e Coachella.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo lidhje e re me yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, do të konfirmohet zyrtarisht, por një gjë është e sigurt: sytë e të gjithëve janë mbi ta.

