Destani para ndeshjes së Shkëndijës sot: Të tregojmë kulturë sportive dhe të mos biem pre e provokimeve

Destani para ndeshjes së Shkëndijës sot: Të tregojmë kulturë sportive dhe të mos biem pre e provokimeve

Sport August 05, 2025 - 11:17

Klubi futbollistik Shkëndija është ekipi i vetëm shqiptar që ka arritur afër kualifikimeve në fazën e ligës së Championsit.

Kuqezinjtë sonte do të kenë përballjen e radhës me ekipin Qarabag FK në Shkup, e para kësaj ndeshje ka folur i pari i ekipit Shkëndija, Lazim Destani ku ka shprehur krenarinë e tij për arritjet e klubit, ndërsa ka bërë një thirrje për të gjithë ata që do të jenë në stadium, duke ftuar që të tregojnë kulturë sportive dhe të përmbahen nga provokimet.

“Me emocion më të madh për arritjet e deritanishme, ëndrra jonë vazhdon. Me përkushtim dhe fokus të madh, klubi ynë po ecën përpara drejt synimeve të reja dhe drejt arritjeve që i meritojmë. Qëllimi ynë është suksesi dhe rruga në Champions League”.

“Sot do të jemi të gjithë në tribunat e stadiumit, duke kënduar këngët tona të fitores dhe duke i dhënë zemër lojtarëve dhe stafit tonë, sepse ata e meritojnë këtë.

Si tifoz i Shkëndijës, u bëj thirrje që sot të tregojmë kulturën tonë sportive dhe të mos biem pre e provokimeve”, ka shkruar Destani.

Ai ftoi tifozët që të mos lejojnë gjuhë të urrejtjes në asnjë formë, pasi sipas tij, këto nuk i përkasin shqiptarëve dhe nuk përfaqësojnë kulturën tonë.

“Ne publiku dhe tifozët e Shkëndijës, si lojtari i 12-të, jemi shembull duke treguar nivelin tonë të lartë dhe duke e përfaqësuar me dinjitet dashurinë tonë për klubin. Le të shkojmë drejt fitores. Shkëndija mbi të gjitha!”, ka shkruar Destani.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, prej nga vjen edhe ekipi “Shkëndija”, është trazuar nga një veprim i turpshëm që ka ndodhur gjatë ndeshjes basketbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku huliganët gjatë ndeshjes që po luhej në Kumanovë, kanë bërë thirrje antishqiptare, të cilat janë dënuar nga nivelet më të larta shtetërore si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. /Zëri

\