
Zbulohen detaje nga kontrata e Xhakës me Sunderlandin, sa do të paguhet ylli shqiptar
Të hënën vonë në mbrëmje, Granit Xhaka u nis drejt Sunderlandit, i shoqëruar nga gruaja, babai dhe agjenti i tij. Të martën, ai kaloi me sukses kontrollet mjekësore dhe është gati të kompletojë transferimin e pritur te skuadra e rikthyer në Ligën Premier.
Kontrata e tij me Sunderlandin do të zgjasë deri në vitin 2028, ndërsa klubi anglez do të paguajë Bayer Leverkusenit 15 milionë euro plus deri në 5 milionë euro të tjera si bonuse të mundshme.
Ky lëvizje ka një dimension interesant, pasi pronari i Sunderlandit, Kyril Louis-Dreyfus, i cili ka bazën e tij në Cyrih, ka pasur një rol kyç në bindjen e Xhakës për t’u bashkuar me projektin e Sunderlandit.
Në biseda telefonike me mesfushorin dhe kapitenin e kombëtares zvicerane, Louis-Dreyfus prezantoi vizionin e tij për klubin dhe rolin kryesor që Xhaka do të ketë në skuadër. Për më tepër, mesfushori 32-vjeçar ka dhënë sinjale të qarta se preferon Sunderlandin përpara ofertave nga Arabia Saudite apo Turqia.
Sipas të dhënave të gazetës “Blick”, Xhaka do të përfitojë rreth 4.5 milionë euro neto në vit, ndërsa do të jetë jo vetëm një nga udhëheqësit në fushë, por edhe kapiteni dhe lideri i skuadrës së re.
Me një mesatare moshe prej vetëm 24 vjetësh në ekip, Sunderland synon që përvoja dhe mentaliteti i Xhakës të jenë shtylla kryesore për të ndihmuar të rinjtë e talentuar në sfidën e Ligës Premier.
Në ishull, pronari Louis-Dreyfus është përgëzuar për këtë angazhim strategjik, sidomos duke pasur parasysh betejën e vështirë që e pret Sunderlandin për mbijetesë në elitën angleze. Pas shumë vitesh në nivelet më të ulëta të futbollit anglez, Sunderlandi nuk dëshiron të rikthehet vetëm për një sezon dhe është duke investuar fuqishëm për këtë qëllim.
Përveç Xhakës, klubi ka shpenzuar mbi 110 milionë euro për pesë lojtarë të rinj, kryesisht nga Anglia, Franca dhe Belgjika, të moshave 20-25 vjeç. Megjithatë, Louis-Dreyfus dhe drejtuesit e klubit nuk ndalen këtu – synimi mbetet të forcohen edhe më tej për të ruajtur statusin në Ligën Premier.
Në Gjermani, lëvizja e Xhakës ka shkaktuar jo pak habi dhe kritika. Mediat e njohura si “Eurosport” dhe “Bild” e kanë cilësuar transferimin si një humbje të madhe për Bayer Leverkusenin, veçanërisht pas largimeve të tjerë të rëndësishëm si Jonathan Tah, Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong. Skuadra gjermane tani përballet me sfidën e rindërtimit të ekipit me shumë pak kohë, pasi sezoni i ri në Bundesligë nis brenda tri javësh.
Xhaka pritet të debutojë menjëherë me Sunderlandin në një ndeshje miqësore kundër Real Betisit të shtunën, ndërsa përballja e parë zyrtare në Ligën Premier do të jetë më 16 gusht kundër West Ham United. Ky do të jetë takimi i tij i 226-të në elitën e futbollit anglez.