
Hulk Hogan ishte duke xhiruar një dokumentar për Netflix në kohën e vdekjes së tij
Hulk Hogan, legjenda e padiskutueshme e mundjes, ishte duke punuar në një dokumentar për Netflix kur ndodhi vdekja e tij tragjike në fillim të kësaj jave, në moshën 71-vjeçare.
Sipas CNN, projekti i realizuar në bashkëpunim me WWE synon të sjellë në ekran jetën dhe karrierën e yllit të madh, si brenda ashtu edhe jashtë ringut.
Dokumentari, i cili deri tani nuk ishte bërë publik, është në prodhim që nga viti 2024 dhe do të përfundohet pavarësisht ndarjes së papritur nga jeta të Hogan, shkruan CNN.

Burime të afërta me projektin kanë bërë të ditur se janë realizuar mbi 20 orë intervista me Hogan, ndërsa janë xhiruar më shumë se 30 orë skena të tjera. “Njerëzit do të shohin një anë të tij që nuk e kanë parë më parë”, ka deklaruar një burim për CNN.
Pas vdekjes së tij nga një arrest kardiak të enjten në Clearwater, Florida, produksioni është i detyruar të rishikojë disa pjesë të dokumentarit, ndërsa kamerat pritet të jenë të pranishme në WWE Smackdown të premten për të regjistruar një homazh special në nder të tij.
I lindur si Terry Bollea, Hogan ishte figura që transformoi botën e mundjes në një spektakël global të argëtimit.
Në vitet e 80-ta dhe të 90-ta, ai u bë një ikonë popullore, duke hapur rrugën për emra si The Rock dhe John Cena që të kalojnë nga WWE në Hollywood.
Dokumentari është duke u drejtuar nga Bryan Storkel dhe prodhohet nga Words + Pictures, studioja e Connor Schell, në bashkëpunim të ngushtë me WWE. Netflix nuk ka bërë ende të ditur një datë zyrtare publikimi. /Telegrafi