
Pjaniç i tregon Juventusit se cilin mesfushor duhet ta blejë urgjentisht
Ish-ylli i Juventusit, Miralem Pjanic, i ka sugjeruar klubit të tij të vjetër të transferojë Sandro Tonalin nga Newcastle United, duke e cilësuar si njeriun ideal për të përforcuar mesfushën.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit me Douglas Luiz, bardhezinjtë kanë qenë në kërkim të një mesfushori të ri prej javësh. Tonali ishte përmendur si një objektiv i mundshëm qysh në fund të sezonit të kaluar, kur Cristiano Giuntoli ishte ende drejtues te Juventus.
Pjanic, që ka veshur fanellën bardhezi për katër sezone, mendon se Juventus duhet ta ndjekë deri në fund pistën Tonali.
“Do ta blija Tonalin pa menduar dy herë. Është italian, ka potencial të jashtëzakonshëm. Ka fituar me Milanin dhe është rritur edhe më shumë në Angli. Është i përulur, i fortë dhe me cilësi – saktësisht ajo që i mungon Juventusit”, deklaroi boshnjaku.
Në këtë verë të ndryshimeve të mëdha, Juventusi ka emëruar François Modeston si drejtor të ri teknik dhe i ka dhënë Giorgio Chiellinit një rol të rëndësishëm në strukturën e klubit. Pjanic e komentoi edhe rikthimin e Chiellinit te Juventusi.
“Jam i lumtur që Giorgio është kthyer në klub. Ai sjell stabilitet dhe ndjesinë e përkatësisë që e vlerësojnë të gjithë, si lojtarët ashtu edhe tifozët. Ai e njeh mirë ambientin dhe do të jetë shumë i vlefshëm për projektin”, nënvizoi Pjanic.
Boshnjaku, që ka luajtur 135 ndeshje nën urdhrat e Massimiliano Allegrit, foli edhe për trajnerin që tashmë është emëruar në krye të Milanit.
“Flas shpesh me Max. Kemi kaluar vite të mrekullueshme bashkë te Juventus. Ai dhe Conte janë më të mirët në Itali. Janë njerëz që e dinë si të menaxhojnë presionin dhe që sjellin rezultate. Me Allegrin në bankinë, Milani duhet të synojë më shumë se vetëm top 4”, përfundoi Pjanic.