
Tatuazh përjetësie – Tsimikas nderon Diogo Jotën me një mesazh prekës në trupin e tij
Një prej lojtarëve më të dashur të Liverpoolit, Diogo Jota, ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident automobilistik në Zamora të Spanjës, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, por kujtimet te ish bashkëltarët e tij mbesin, ku i tillë është rasti i Kostas Tsimikas.
Sulmuesi portugez po udhëtonte me makinë, i këshilluar nga mjekët të mos fluturonte pas një operacioni, kur makina e tij Lamborghini doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një rrote.
Pas ngjarjes së rëndë, skuadra e Liverpoolit dhe gjithë bota e futbollit kanë shpërthyer në homazhe dhe nderime për Jotën. Ndër ta, një gjest i veçantë vjen nga mbrojtësi grek Kostas Tsimikas, i cili ka zbuluar një tatuazh të ri në kujtim të mikut të tij, ku shkruan: “Do të doja të ishe këtu”, shoqëruar me numrin 20, që Jota mbante te Liverpooli.

Tatuazhi u realizua në Greqi dhe u publikua nga studioja “Puerto Ink Athens”, e cila e përshkroi me fjalët: “Disa lidhje janë përtej futbollit. Nga ëndrrat në Anfield, nga shokët e ekipit në vëllezër. Ky tatuazh nuk është thjesht homazh – është dashuri, dhimbje dhe kujtim i gdhendur përjetë”.
Gjatë kohës së tyre në Merseyside, Jota dhe Tsimikas luajtën së bashku në 54 ndeshje, duke ndarë momente të veçanta në fushë.
Në rrjetet sociale, Tsimikas ndau edhe një mesazh prekës, ku ndër të tjera shkroi: “Kemi festuar disa nga momentet më të mira të karrierës sonë. Ti ishe një lojtar i veçantë, një djalë i veçantë, një legjendë e vërtetë, Diogo”.
Në nderim të kujtimit të tij, Liverpool ka vendosur të tërheqë fanellën me numrin 20.