
Një vend në luftë ia paguan dhjetëra miliona euro Barcelonës që të jetë sponsori i tij
Republika Demokratike e Kongos ka arritur një marrëveshje me vlerë prej më shumë se 40 milionë euro me gjigantin spanjoll të futbollit, Barcelonën.
Me këtë marrëveshje sponsorizimi, Kongo do të promovojë potencialin e saj turistik përmes logos që do të zbukurojë pjesën e pasme të fanellave të stërvitjes dhe ngrohjes së ekipeve të meshkujve dhe femrave të Barçës.
Sipas Reuters, kontrata u nënshkrua më 29 qershor dhe do të jetë e vlefshme për katër vitet e ardhshme, dhe parashikon pagesa vjetore prej 10 deri në 11.5 milionë euro.
Përveç fanellave, logoja që promovon Kongon si “zemrën e Afrikës” do të shfaqet edhe në materialet promovuese të klubit, botimet zyrtare dhe raportet vjetore.
Barcelona agree sponsorship deal with DR Congo to promote tourism https://t.co/q1zUVrXH2A
— Reuters Africa (@ReutersAfrica) July 17, 2025
Përveç Barcelonës, Kongo kohët e fundit ka nënshkruar marrëveshje sponsorizimi me ekipin francez AS Monaco dhe atë italian AC Milan. Ministri i Sportit i Kongos, Didier Budimbu, konfirmoi se marrëveshja me Monacon vlen 1.6 milionë euro në sezon, ndërsa marrëveshja me Milanin vlerësohet në 14 milionë euro në vit.
Këto lëvizje vijnë në mes të marrëdhënieve të tensionuara midis Kongos dhe Ruandës, praktikisht një gjendje lufte.
Më herët këtë vit, ministrja e jashtme kongoleze, Therese Kayikwamba Wagner, u bëri thirrje publikisht klubeve si Arsenali, Bayern Munich dhe PSG-ja që të ndërpresin bashkëpunimin e tyre me fushatën “Vizitoni Ruandën”, duke e quajtur marrëdhënien e sponsorizimit “të përgjakshme”.
Deklarata erdhi pasi rebelët e M23, që vepronin nga Ruanda, pushtuan Gomën – një qytet kyç në Kongon lindore.
Sipas një raporti të kohëve të fundit nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara, Ruanda ka ndikim të fortë mbi lëvizjen M23, gjë që i jep asaj kontroll politik dhe qasje në territoret e pasura me minerale në Kongon lindore. /Telegrafi