
Modriqi tregon pse zgjodhi Milanin
Luka Modriq është një futbollist i ri i Milanit dhe pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të kuqezinjve në këtë sezon.
Një sfidë interesante për vetë lojtarin, i cili duke folur për mediat e klubit, ka zbuluar se pse zgjodhi kuqezinjtë përballë ofertave të tjera që kishte, duke treguar edhe rolin e rëndësishëm që kishte luajtur Igli Tare.
“Dëshiroja të qëndroja në Evropë për të vazhduar të luaja një futboll konkurrues. Kisha oferta të tjera, por kur më telefonoi Milani, për mua ishte e qartë. E desha që në minutën e parë. Më ka bërë përshtypje edhe fakti që drejtori sportiv Igli Tare erdhi në Kroaci për të më prezantuar projektin dhe të gjithë Milanin. Ishte shumë e rëndësishme për mua, më ka treguar se sa dëshironin që të më sillnin këtu. Pastaj Milani është një prej klubeve më të mëdhenj në Evropë. Milani nuk mund të jetë i kënaqur nga mediokriteti, duhet të vendosë objektiva sa më të mëdhenj të jetë e mundur, të fitojë tituj dhe të konkurrojë me skuadrat më të mira në botë. Kjo është arsyeja pse jam këtu. Unë e kam ndjekur shumë futbollin italian, është një kampionat shumë konkurrues dhe është rritur shumë. Ka shumë lojtarë kroatë që luajnë në Itali dhe më pëlqen të ndjek shokët e mi të përfaqësueses. Ka skuadra të mëdha, lojtarë të aftë. Është një kampionat shumë taktik dhe fizik”, tha Modriqi.