
Modriqi zbulon pse zgjodhi Milanin, pas largimit nga Real Madrid
Ish-mesfushori i Real Madridit, Luka Modriq, ka folur hapur për vendimin e tij për t’iu bashkuar AC Milanit, pas përfundimit të aventurës së gjatë në “Santiago Bernabeu”.
Shumë klube donin transferimin e veteranit kroat, por ai ka zbuluar se Milanit iu bashkua pasi donte të luante në Evropë dhe të luante futboll konkurrues.
“Pse AC Milan? Doja të qëndroja në Evropë dhe të vazhdoja të luaja futboll konkurrues”, deklaroi Modriqi.
“Kisha disa oferta të tjera, por kur Milani u shfaq, ishte e qartë për mua. Isha gati që nga momenti i parë”, deklaroi Modriqi.
Ai tregoi se klubi kuqezi e kishte bindur që në fillim me seriozitetin e qasjes dhe me projektin e tyre.
“Më bëri përshtypje se si erdhën në Kroaci për të më prezantuar projektin dhe gjithçka tjetër. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua”, shtoi kroati.
“Milani është një nga klubet më të mëdha në Evropë”, përfundoi Modriqi, i cili pritet të jetë një nga liderët e rinj të skuadrës së Massimiliano Allegrit.