
Copenhageni shkruan për Dritën, ku do të përballet në rundin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve
Drita ka hyrë në histori si skuadra e parë nga Kosova që kalon në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampioni i Kosovës arriti këtë sukses historik pas dy fitoreve ndaj ekipit nga Luksemburgu, Differdange 03.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Kosovë, Drita triumfoi me rezultat minimal 1-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Luksemburg, ata siguruan edhe një fitore të madhe me rezultat 3-2, duke kaluar më tej me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Ky sukses i jep skuadrës kosovare një përballje të madhe në raundin e dytë, ku Drita do të sfidohet nga gjiganti danez FC Copenhagen.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 22 korrik në Danimarkë, në stadiumin e njohur “Parken”, i cili ka një kapacitet prej 38 mijë ulësesh. Përballja e kthimit do të luhet një javë më vonë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra daneze ka reaguar menjëherë pas fitores së Dritës, duke i kushtuar një artikull të gjatë dhe të detajuar ekipit nga Kosova dhe duke zbuluar informacione për organizimin e ndeshjes së parë në shtëpinë e tyre.
“FC Copenhagen do të përballet me FC Dritën nga Kosova në rundin e dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve. FC Drita fitoi 1-0 në shtëpi në ndeshjen e parë kundër FC Differdange, dhe sonte fituan 3-2 në ndeshjen e kthimit në Luksemburg”.
“Kjo është hera e parë që përballemi me një ekip nga Kosova, dhe do t’i hedhim një vështrim më të afërt kampionëve kombëtarë nga FC Drita ndërsa i afrohemi ndeshjes së parë”.
“Do të fillojmë në shtëpi në Parken të martën, më 22 korrik, në orën 19:00, dhe do të luajmë ndeshjen e kthimit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë të martën, më 29 korrik, por ora e fillimit të ndeshjes nuk është përcaktuar ende”.
“Do t’ju informojmë sa më shpejt të jetë e mundur për biletat për ndeshjen jashtë fushe. Në stadium mund të jenë afërsisht 14.000 spektatorë, kështu që nuk duhet të ketë probleme të menjëhershme për sigurimin e biletave për seksionin tonë jashtë fushe”.
“Shitja e biletave për ndeshjen në shtëpi ka kohë që vazhdon në billet.fck.dk, dhe mund të gjeni bileta duke filluar nga 100 DKK (13 euro) për të rriturit dhe nga 40 DKK (5 euro) për fëmijët”, ka shkruar FC Copenhagen ne faqen e tyre zyrtare.