Pas suksesit historik në Ligën e Kampionëve, presidenti i Dritës: Kjo është Drita që të gjithë duam

Pas suksesit historik në Ligën e Kampionëve, presidenti i Dritës: Kjo është Drita që të gjithë duam

Sport July 16, 2025 - 09:13

Presidenti i FC Dritës, Flamur Bunjaku ka reaguar pas fitores së skuadrës në kuadër të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve.

Drita arriti të kualifikohet në rundit e dytë në Ligën e Kampionëve duke fituar ndaj Differdanges me rezultat të përgjithshëm 2-4.

Për këtë sukses historik për Dritën dhe jo vetëm, presidenti i klubit u shpreh i lumtur ku tha se kjo është Drita ajo që të gjithë e duam. /Zëri

Postimi i plotë:

Fitore në Prishtinë dhe fitore në Luksemburg, kjo është Drita që të gjithë e duam, skuadra që dominon kudo që luan.

Urime futbollistëve tanë për dy ndeshje të shkëlqyera ndaj Differdange dhe për dy fitore plotësisht të merituara.

Urime stafit teknik për punën e mrekullueshme dhe përgatitjen e jashtëzakonshme.

Një falënderim i veçantë edhe për tifozët tanë të jashtëzakonshëm, Intelektualët, të cilët nuk e lanë skuadrën vetëm as në Luksemburg dhe që ishin pjesë kyçe e këtij suksesi.

Drita është klub për të shkruar histori, dhe ky kualifikim për në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve është një moment historik jo vetëm për klubin tonë, por për gjithë futbollin kosovar. Asnjë skuadër nga Kosova nuk kishte arritur këtë më parë, dhe ne e arritëm.

Jam shumë i lumtur dhe krenar për futbollistët, për stafin dhe për të gjithë ata që janë pjesë e familjes së madhe Drita. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë që na pret përpara.

Drita është krenaria e qytetit dhe e gjithë Kosovës. Tani na presin sfida edhe më të mëdha dhe më të bukura në Evropë.

I juaji,

Flamur Bunjaku