
Pjesa e parë: Drita në epërsi ndaj Differdanges
Drita ka dhënë sinjale të qarta se është e vendosur për kualifikim në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi prej 2-1.
Skuadra e gjilanasve e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar që në minutën e 4-të. Besnik Krasniqi asistoi për Liridon Balajn, i cili dërgoi një top të rrezikshëm në zonë, ku Arb Manaj reagoi me shpejtësi dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Në minutën e 17-të, Drita dyfishoi epërsinë, sërish me Arb Manajn që përfitoi nga një situatë e ngatërruar në zonë dhe realizoi për 2-0.
Megjithatë, vendasit nga Differdange arritën të ngushtonin shifrat në minutën e 28-të me golin e Theo Brusco, që përfitoi nga një pozicion i favorshëm për të shënuar nga afërsia.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 2-1 për Dritën, ndërsa gjyqtari akordoi pesë minuta shtesë për shkak të ndërhyrjeve të shumta dhe ndërprerjeve nga vendasit.