
“Dua të afirmohem në Bundesligë” – Fisnik Asllani flet pas rinovimit me Hoffenheimin
Pas zyrtarizimit të kontratës së re me Hoffenheim, sulmuesi 22-vjeçar Fisnik Asllani ka shprehur entuziazmin e tij për të ardhmen në klubin nga Bundesliga.
Pas dy sezonesh të kaluara në huazim, Asllani ndjen se koha për t’u afirmuar në nivelet më të larta ka ardhur.
“Jam i kënaqur që kam zgjatur kontratën time me TSG Hoffenheim. Pas periudhave të huazimit të dy viteve të fundit, thjesht kisha ndjesinë se udhëtimi im në Hoffenheim ishte larg përfundimit. Jam shumë i motivuar dhe tani dua të afirmohem në TSG dhe të provoj veten në Bundesligë”, dekarloi Asllani për faqen e klubit.
Asllani theksoi se njohja e ambientit do ta ndihmojë në rikthimin e tij dhe në përqendrimin maksimal në aspektin sportiv.
“E njoh klubin, shumë nga lojtarët në skuadër dhe të gjithë stafin e TSG. E gjithë kjo do ta bëjë kthimin tim më të lehtë, kështu që tani mund të përqendrohem plotësisht në aktivitetet e mia sportive,” deklaroi sulmuesi.
Ai sezonin e kaluar shkëlqeu në divizionin e dytë gjerman me SV Elversberg, ku shënoi 18 gola e dhuroi 9 asiste në 33 ndeshje të ligës.