
Zyrtare: Hoffenheim rinovon kontratën me Fisnik Asllanin
TSG Hoffenheim ka zgjatur kontratën e sulmuesit Fisnik Asllani, e cila ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2026. 22-vjeçari ka firmosur një marrëveshje të re afatgjatë, thuhet deri në vitin 2029 me klubin gjerman, si shpërblim për paraqitjet e shkëlqyera që pati gjatë sezonit të fundit.
Asllani ishte golashënuesi më i mirë në divizionin e dytë gjerman gjatë huazimit të tij te SV Elversberg, duke u bërë një nga lojtarët më të kërkuar në tregun e brendshëm. Drejtori sportiv i Hoffenheim, Andreas Schicker, ka vlerësuar lart progresin e tij dhe rëndësinë e këtij rinovimi:
“Fisnik është një sulmues shumë i talentuar, i cili më shumë sesa thjesht tregoi për potencialin e tij gjatë huazimit të tij te SV Elversberg sezonin e kaluar. Golat dhe asistet e tij flasin vetë. Ai padyshim që e ka përdorur kohën e tij në Saarland për të bërë hapin tjetër në zhvillimin e tij. Prandaj, marrëveshja e huazimit ka qenë një sukses i plotë për të gjitha palët e përfshira”.
“Sigurisht, zhvillimi i Fisnik dhe performancat e tij të forta në divizionin e dytë nuk kanë kaluar pa u vënë re nga shumë klube të tjera – ai ka ngjallur interes të konsiderueshëm nga klube të ndryshme. Për këtë arsye, jemi edhe më të kënaqur që ai tani është plotësisht i përkushtuar për një të ardhme te TSG Hoffenheim. Jemi absolutisht të bindur se ai do të bëjë hapat e ardhshëm në karrierën e tij me ne dhe se të gjithë do të argëtohemi shumë me të në të ardhmen”, deklaroi Schicker.
Fisnik Asllani iu bashkua akademisë së TSG Hoffenheim në verën e vitit 2020, pas transferimit nga Union Berlin. Ai debutoi në Bundesligë në nëntor 2021 dhe ka zhvilluar dhjetë ndeshje me ekipin e parë deri më tani. Në të njëjtën kohë, ai ka qenë pjesë kyçe e skuadrës rezervë të Hoffenheim, për të cilën ka regjistruar 53 paraqitje, 17 gola dhe 9 asiste.
Sezonin e fundit, Asllani u huazua te SV Elversberg dhe shënoi 18 gola e dhuroi 9 asiste në 33 ndeshje të ligës. Ai ishte i huzuar edhe te Austria Vjena ku zhvilloi 16 ndeshje në ligë, duke shënuar gjithsej 5 gola dhe regjistruar një asist.
Asllani – i cili ka shtetësi gjermane dhe kosovare – debutoi me Kombëtaren e Kosovës në shtator të vitit 2024 dhe deri tani ka grumbulluar pesë paraqitje me ekipin A.