
Zyrtare: Mirlind Daku mbetet te Rubin, nënshkruan deri në vitin 2029
Mirlind Daku ka zgjatur qëndrimin te Rubin Kazan, duke nënshkruar një kontratë të re që e mban të lidhur me klubin rus deri në vitin 2029.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe do të vijojë të jetë një pjesë kyçe e projektit të klubit.
Daku ishte shumë pranë transferimit te Zeniti, por marrëveshja u prish në momentet e fundit, duke e hapur rrugën për rinovimin me Rubin Kazan.
Zyrtarizimi i marrëveshjes erdhi përmes një videoje kreative, e frymëzuar nga seriali i famshëm “Squid Game”.
Në klipin simbolik, Daku zgjedh letrën e kuqe që përfaqëson Rubin Kazanin dhe i gjuan bluzës blu të Zenitit, një mënyrë origjinale për të shpallur vendimin e tij.
Klubi rus i ka plotësuar kërkesat financiare të sulmuesit shqiptar, gjë që ka ndikuar direkt në vendimin për të rinovuar kontratën.
Më parë, kontrata e Dakut ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2026, por tani ai është i lidhur me Rubinin edhe për tri sezone të tjera. /Telegrafi