Luis Diaz thyen heshtjen për vdekjen e Diogo Jotas dhe zbulon si e mori lajmin tragjik

Luis Diaz thyen heshtjen për vdekjen e Diogo Jotas dhe zbulon si e mori lajmin tragjik

Sport July 07, 2025 - 21:37

Luis Diaz ka thyer heshtjen pas vdekjes tronditëse të shokut të skuadrës te Liverpool, Diogo Jota, dhe ka folur për ndikimin që kjo humbje e madhe ka pasur tek ai. 

Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën në një aksident automobilistik në një zonë të veriut të Spanjës në orët e para të 3 korrikut. 

Sipas policisë spanjolle, Lamborghini Huracan ku po udhëtonin dy vëllezërit pësoi shpërthim të gomës gjatë një parakalimi dhe më pas doli nga rruga, duke marrë flakë. 

Shumë prej shokëve të Jotës në klub dhe kombëtare morën pjesë në funeralin e tij, përfshirë trajnerin e Liverpoolit, Arne Slot, Virgil Van Dijk dhe Andy Robertson.  

Portieri Alisson nuk mundi të ishte i pranishëm, ashtu si edhe Luis Diaz, i cili ndodhej në vendlindjen e tij, Kolumbi. 

Tani, Diaz ka reflektuar mbi vdekjen e mikut të tij dhe ka bërë një homazh emocional për sulmuesin që e priti ngrohtësisht në ‘Anfield’ kur u transferua nga Porto në janar 2022. 

“Askush nuk është i përgatitur për këtë. Ai ishte një shok shumë i rëndësishëm kur erdha në Liverpool, sepse familja e tij më priti me shumë dashuri dhe krijuam një miqësi të madhe. Kishim një rivalitet të shëndetshëm dhe ishte e rëndësishme për ne”. 

“Zoti e pastë në paqe. Kam një mik të madh në zemër, i cili do të mbahet mend gjithmonë nga skuadra”. 

“Dua t’i dërgoj shumë forcë familjes së tij, bashkëshortes, fëmijëve, sepse në të vërtetë po kalojnë një dhimbje të madhe”. 

“Dhemb shumë, shumë. Ishte e pabesueshme kur u zgjova dhe pashë lajmin. E vërteta është që shpërtheva në lot. Ishte një dhimbje shumë, shumë e madhe”, ka thënë Diaz.