Ky ishte postimi emocionues i fundit i Diogo Jotas në rrjetet sociale më pak se 24 orë para vdekjes tragjike

Ky ishte postimi emocionues i fundit i Diogo Jotas në rrjetet sociale më pak se 24 orë para vdekjes tragjike

Sport July 03, 2025 - 19:27

Futbollisti portugez Diogo Jota, një nga yjet e Liverpoolit, ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare si pasojë e një aksidenti automobilistik në Spanjë.

Lajmi tronditës është konfirmuar nga autoritetet spanjolle, duke nxitur reagime të shumta nga bota e futbollit dhe fansat e tij. Aksidenti tragjik ndodhi në provincën e Zamoras, ku makina e Jotas, një Lamborghini, devijoi nga rruga dhe u përfshi nga flakët.

Në aksident humbi jetën edhe vëllai i tij, Andre Silva, i cili gjithashtu ishte futbollist. Sipas raportimeve paraprake, shkaku i aksidentit mund të ketë qenë shpërthimi i një gome gjatë një manovre kalimi.

Jota, i cili luante për Liverpoolin që nga viti 2020, la pas një trashëgimi të madhe në fushën e lojës, duke fituar tituj të rëndësishëm si Ligën Premier, FA Cup dhe League Cup.

Por, më e rëndësishmja, ai la pas një familje që po përjeton një humbje të madhe. Vetëm dy javë më parë, Jota ishte martuar me dashurinë e fëmijërisë së tij, Rute Cardoso, me të cilën kishte tre fëmijë.

Postimi i fundit i Jotës në rrjetet sociale, i bërë më pak se 24 orë para aksidentit, ishte një video që festonte martesën e tij, me mbishkrimin” “Një ditë që nuk do ta harrojmë kurrë”.

Ky postim tashmë është bërë virale, duke nxitur një valë ngushëllimesh nga fansat dhe personalitetet e futbollit. Federata Portugeze e Futbollit dhe klubi i Liverpoolit kanë shprehur trishtimin e thellë për humbjen e Jotës, duke e përshkruar atë si një person dhe lojtar të jashtëzakonshëm.

Fansat e Liverpoolit kanë filluar të lënë lule jashtë Anfieldit, stadiumit të klubit, si shenjë respekti dhe kujtimi për Jotan.