Milani shfaqet me ofertë të re për Jasharin, që mund të arrijë deri në 38 milionë euro

Milani shfaqet me ofertë të re për Jasharin, që mund të arrijë deri në 38 milionë euro

Sport July 02, 2025 - 10:17

Milani është shfaqur mbrëmë me një ofertë të re për Ardon Jasharin.

Oferta e re e “Rossoneri” për yllin shqiptar është 32.5 milionë euro, e cila me bonuse mund ta kapë shifrën e 38 milionë eurove, njofton gazetari sportiv italian dhe njëherësh eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano.

Interesim për yllin shqiptar krahas Milanit kanë shfaqur edhe Borussia Dortmund, Manchester United, Manchester City, Paris Saint-Germain e Bayer Leverkusen.

Mirëpo, prioritet total i 22-vjeçarit është klubi kuqezi.

Tash topi është te Club Brugge, i cili e mban kartonin e futbollistit.

Paraprakisht, belgët i kërkonin 40 milionë euro për futbollistin më të mirë të vitit në Belgjikë.

Në sezonin 2024/25, futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut i ka zhvilluar 52 ndeshje dhe i ka shënuar 4 gola dhe i ka bërë 6 asistime me ekipin belg.

Vlera në treg e kartonit të Jasharit është 32 milionë euro, sipas faqes së specializuar për vlerësimin e futbollistëve – Transfermarkt.

Jashari ishte transferuar në Club Brugge vitin e kaluar nga Luzerni për 6 milionë euro dhe kishte nënshkruar me klubin belg deri në qershor të vitit 2029.

Jashari është sot njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptarë.

Krahas tij, drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare ia ka vënë syrin edhe shqiptarit tjetër Granit Xhaka, i cili qe dy vjet po luan me plot sukses në Gjermani me Bayer Leverkusenin.