
Trepça përforcohet me amerikanin me pasaportë kosovare
Klubi i basketbollit Trepça e ka bërë një “goditje” për sezonin e ardhshëm.
Kampionia e Kosovës ka njoftuar për transferimin e qendrës amerikane, Shawn Jones.
Mitrovicasit e kanë mirëpritur 33-vjeçarin, i gjatë 203 centimetra, i cili ka pasaportë të Kosovës dhe llogaritet si lojtar vendor, një përparësi kjo për “Xehetarët”.
“Mirë se vjen SJ. Vazhdojmë tutje”, shkroi klubi mitrovicas në faqen zyrtare në Facebook.
Jones, i cili ka luajtur për Kombëtaren e Kosovës në të kaluarën, ka luajtur në disa vende të Evropës si në Poloni, Slloveni, Izrael, Itali, Spanjë e Kroaci, krahas SHBA-së, duke fituar trofe të rëndësishëm.
Ndërkaq, së fundmi basketbollisti që ishte pajisur me pasaportë të Kosovës në vitin 2016 ka luajtur në Venezuelë.
Derisa Jones është përforcimi i parë i mitrovicasve për sezonin e ri, ata paralajmërojnë edhe përforcime të tjera në vazhdim gjatë verës.