
Laura mposhtet nga legjenda braziliane, e kërkon të bronztën
Laura Fazliu është ndalur në çerekfinale të Kampionatit Botëror të Xhudos, i cili po mbahet në Budapest të Hungarisë.
Garuesja kosovare u mposht nga kampionia olimpike dhe botërore, Rafaela Silva, e cila fitoi me Ippon në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Xhudistja kosovare u befasua nga kundërshtarja e fuqishme, e cila kreu punë shpejt.
Sidoqoftë, këtu nuk merr fund rrugëtimi i Laurës në këtë Botëror, pasi ajo do ta kërkojë medaljen e bronztë përmes repesazhit, ku fillimisht do të përballet me mongolezen Enkhriilen Lkhagvatogoo.
Paraprakisht, Laura e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mposhti polaken Natalia Kropska.
Në rrethin e tretë, respektivisht në të tetën e finales, ishte më e mirë se italiania Carlotta Avanzato.
E në çerekfinale ajo u ndal nga braziliania Rafaela Silva.
Laura, e cila rikthehet nga një lëndim që s’po e linte rehat, synon të fitojë medalje në këtë Botëror.
Siç dihet, paraprakisht në këtë Botëror medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi, ndërsa pa medalje mbeti Akil Gjakova. /Express