Zyrtare: Akileu Ndreca, përforcimi më i ri i FC Prishtina

Zyrtare: Akileu Ndreca, përforcimi më i ri i FC Prishtina

Sport June 15, 2025 - 19:04

Akileu Ndreca është përforcimi më i ri i FC Prishtina, duke iu bashkuar klubit bardhekaltër pas një sezoni të kaluar me KF Tiranën në elitën e futbollit shqiptar.

Sulmuesi është rritur dhe formuar në sistemin e futbollit italian, ku ka fituar përvojë dhe disiplinë të lartë profesionale që pritet të reflektohet edhe në Superligën e Kosovës.

Ndreca ka qenë pjesë e disa ekipeve në Itali gjatë viteve të tij të formimit dhe rikthimi i tij në futbollin shqiptar është shoqëruar me paraqitje të qëndrueshme. Tashmë, me kalimin te Prishtina, ai synon të japë kontribut të menjëhershëm në një skuadër që ka pretendime të qarta për trofe.

Në prononcimin e tij të parë për klubin, Ndreca është shprehur: “Kënaqësi dhe nder për mua që të jem pjesë e Prishtinës. Do të jap maksimumin për ngjyrat bardhe e kaltër dhe na shkoftë mbarë të gjithëve”.

Krahas Ndrecës, klubi ka siguruar edhe shërbimet e Blendi Baftiut, Hamdi Namanit dhe Valmir Veliut – tre futbollistë me përvojë në nivel të lartë konkurrues.

Po ashtu janë afruar edhe dy lojtarë të rinj me perspektivë, Dren Zeqiri dhe Drin Bajraktari, që konsiderohen si investim për të ardhmen.