
Kupa e Botës për Klube FIFA 2025: Gjithçka që duhet të dini për spektaklin e madh veror në SHBA
Kupa e Botës për Klube FIFA 2025 nis më 14-15 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për herë të parë në histori do të zhvillohet me 32 ekipe pjesëmarrëse.
Turneu do të zgjasë një muaj të plotë, deri më 13 korrik, dhe premton të jetë një nga ngjarjet më madhështore sportive të verës.
Si ka ndryshuar gara?
Deri më 2023, Kupa e Botës për Klube mbahej çdo dhjetor me vetëm 6 deri në 8 ekipe – fituesit e garave kontinentale.
Por nga viti 2025, FIFA e ka transformuar këtë garë në një turne madhor, që zhvillohet çdo katër vite, njësoj si Kupa e Botës për kombëtare.
Edicioni i parë i këtij formati të ri do të mbahet në SHBA dhe do të ketë në skenë disa nga klubet më të mëdha të botës.

Si do të funksionojë formati i ri?
32 klube janë ndarë në 8 grupe me nga katër skuadra. Nga secili grup, dy ekipet më të mira kalojnë në fazën me eliminim direkt, që nis nga 1/16 e finales.
Gara përfundon me finalen që do të luhet më 13 korrik në stadiumin “MetLife” të New Jersey.
Kur do të zhvillohen ndeshjet?
Faza e grupeve: 14 – 26 qershor
1/16 e finales: 28 qershor – 1 korrik
Çerekfinalet: 4 – 5 korrik
Gjysmëfinalet: 8 – 9 korrik
Finalja: 13 korrik
Cilat skuadra do të marrin pjesë?
Në mesin e 32 klubeve, nuk mungojnë emra të mëdhenj si Real Madrid, Manchester City, PSG, Bayern Munich, Chelsea, Juventus, Borussia Dortmund, Atletico Madrid, por edhe Inter Miami i Lionel Messit.
Përfaqësimi i kontinentëve:
Evropa (UEFA): 12 klube
Amerika e Jugut (CONMEBOL): 6 klube
AFC, CAF dhe CONCACAF: nga 4 klube secila
Oqeania (OFC): 1 klub
Vendi organizator (SHBA): 1 klub – Inter Miami
Grupet zyrtare të turneut
Grupi A: Palmeiras, Porto, Al Ahly, Inter Miami
Grupi B: PSG, Atletico Madrid, Botafogo, Seattle Sounders
Grupi C: Bayern Munich, Auckland City, Boca Juniors, Benfica
Grupi D: Flamengo, ES Tunis, Chelsea, LAFC
Grupi E: River Plate, Urawa Red Diamonds, Monterrey, Inter Milan
Grupi F: Fluminense, Borussia Dortmund, Ulsan HD FC, Mamelodi Sundowns
Grupi G: Manchester City, Wydad, Al Ain, Juventus
Grupi H: Real Madrid, Al Hilal, Pachuca, RB Salzburg

Pse mungojnë klubet si Liverpool, Barcelona apo Milan?
Rregullorja e FIFA-s lejon maksimumi dy klube për shtet. Në rastin e Anglisë, për shembull, vendet i zunë Manchester City dhe Chelsea, pasi të dy fituan Ligën e Kampionëve gjatë periudhës së vlefshme (2021–2023).
Kriteret u bazuan në performancat në garat europiane dhe koeficientët e UEFA-s.
Stadiumet pritëse në SHBA
Ndeshjet do të zhvillohen në 12 stadiume në 11 qytete të ndryshme:
“Hard Rock Stadium” – Miami, FL (ndeshja hapëse)
“MetLife Stadium” – New Jersey (finalja)
“Rose Bowl” – Pasadena
“Mercedes-Benz Stadium” – Atlanta
“Bank of America Stadium” – Charlotte
“Lumen Field” – Seattle
“Lincoln Financial Field” – Philadelphia
“Camping World Stadium” – Orlando
“Audi Field” – Washington
“GEODIS Park” – Nashville
“TQL Stadium” – Cincinnati
“Inter&Co Stadium” – Orlando
A do të luajnë Messi dhe Ronaldo?
Lionel Messi do të jetë pjesë e turneut me Inter Miamin, që fitoi vendin përmes renditjes në MLS. Por Cristiano Ronaldo nuk do të marrë pjesë, pasi Al Nassr nuk u kualifikua.
Edhe pse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, la të hapur mundësinë që Ronaldo të transferohej në ndonjë ekip pjesëmarrës, vetë lojtari e mohoi këtë opsion duke thënë: “Nuk mund të marrësh pjesë në gjithçka”.

Sa është fondi i çmimeve?
Fondi total i çmimeve për Kupën e Botës për Klube FIFA 2025 është 1 miliardë dollarëë. Fituesi përgatitet të marrë deri në 125 milionë dollarëë.
Ky shpërblim i lartë e bën këtë turne nga më të pasurit në historinë e klubeve, me një pjesë të konsiderueshme të fondit – 525 milionë dollarë – të ndarë për të gjitha 32 klubet që marrin pjesë, si pagesa themelore, ndërsa 475 milionë dollarë shkojnë sipas performancës në terrenë.
Përveç kësaj, ekziston edhe një mekanizëm solidariteti prej rreth 250 milionë dollarësh, i dedikuar për përforcimin e futbollit lokal globalë. /Telegrafi