Finalja Portugali - Spanjë shkon në vazhdime

Finalja Portugali - Spanjë shkon në vazhdime

Sport June 08, 2025 - 23:47

Nëntëdhjetë minuta nuk kanë dhënë fituesin e finales së Nations League mes Portugalisë e Spanjës dhe ndeshja ka shkuar në vazhdime.

Takimi në kohën e rregullt në “Allianz Arena” është mbyllur me rezultat të barabartë 2-2. 

Përballja ka qenë e e mbushur me emocione dhe kthesa dramatike. Spanja ka kaluar e para në avantazh në minutën e njëzet e një, falë golit të Mikel Zubimendit, i cili ka shfrytëzuar një gabim në mbrojtjen portugeze. Por reagimi nga ana tjetër ka qenë i shpejtë. Në minutën e njëzet e gjashtë Mendes e ka barazuar rezultatin në 1-1.

Megjithatë, pjesa e parë është mbyllur me avantazhin 2-1 të Spanjës, pas golit të Mikel Ojarzabal në minutën e dyzet e pestë.

Në pjesën e dytë, Portugalia e ka nisur ndeshjen më mirë. Cristiano Ronaldo ka shënuar në minutën e gjashtëdhjetë e një, duke rikthyer shpresat për portugezët.

Pjesa tjetër e kohës ka njohur përpjekje të dyanshme për ta ndryshuar sërish rezultatin, por jo edhe finalizime, duke hapur rrugën që ndeshja të shkojë në vazhdime. Në rast se as në vazhdime nuk ndryshon rezultati, atëherë skuadrat do të detyrohen të gjuajnë penalltitë për ta përcaktuar fituesin. 

Gjatë ditës, në ndeshjen për vendin e tretë, Franca e ka mposhtur Gjermaninë me rezultat 2-0. /rtk