
Kosova mbyll përgatitjet e fundit para ndeshjes miqësore ndaj Komoreve
Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet për miqësoren e radhës kundër Kombëtares së Komoreve. Seanca e fundit stërvitore u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku nesër (e hënë), në orën 19:00 do të luhet ndeshja.
Atmosfera në ekip është pozitive dhe përzgjedhësi Franco Foda, bashkë me stafin e tij teknik, ka përdorur këtë seancë për të finalizuar përgatitjet taktike dhe për të vlerësuar formën e futbollistëve, para përballjes që vlerësohet si test i rëndësishëm para kualifikimeve të Kampionatit Botëror në muajin shtator.
Para stërvitjes, përzgjedhësi Foda dhe sulmuesi Albion Rrahmani kanë folur për mediat në konferencën zyrtare.
“Sot kemi stërvitjen përmbyllëse dhe do të shohim cilët lojtarë do t’i angazhojmë. Në bazë të kësaj stërvitjeje do të ketë mundësi edhe për ndonjë ndryshim eventual. Megjithatë, sigurisht që nuk do të eksperimentojmë shumë, sepse është ndeshja e fundit para kualifikimeve të Botërorit në shtator”, theksoi Foda.