
Ronaldo arrin golin e 937-të në karrierë – shënon ndaj Gjermanisë në Ligën e Kombeve
Cristiano Ronaldo ka shënuar golin e tij të 937-të në karrierë, duke vazhduar të shkruajë historinë si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Superylli portugez realizoi në minutën e 68-të të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve ndaj Gjermanisë, duke i dhënë Portugalisë epërsinë 2:1 në “Munich Football Arena”.
Ky gol ishte i 137-ti për Ronaldon me fanellën e Portugalisë, duke përforcuar pozitën e tij si golashënuesi më i mirë në histori të ekipeve kombëtare.
Gjermania e kishte nisur më mirë pjesën e dytë dhe kaloi në epërsi në minutën e 48-të me një gol me kokë nga Florian Wirtz.
Goli u konfirmua pas rishikimit në VAR, pasi u dyshua për pozitë jashtë loje, por gjyqtari e cilësoi të rregullt, pavarësisht protestave nga portugalezët.
Portugalia reagoi shpejt. Në minutën e 63-të, Francisco Conceição barazoi rezultatin me një supergol nga distanca, për të ngritur ritmin e lojës.
Vetëm pesë minuta më vonë, Nuno Mendes shërbeu bukur për Ronaldon, i cili nuk gaboi përballë portierit dhe realizoi golin vendimtar deri në atë moment.
Me këtë gol të rëndësishëm dhe paraqitje të jashtëzakonshme, Ronaldo dëshmon edhe një herë se vazhdon të jetë vendimtar për Kombëtaren e Portugalisë, edhe në moshën 40-vjeçare.