
Sadiku e Bojku përfaqësojnë Kosovën në “Eindhoven 2025”
Donjeta Sadiku dhe Shpëtim Bojku do ta përfaqësojnë Kosovën në Kupën e Boksit "Eindhoven 2025", që nis nesër.
Federata e Boksit e Kosovës, përmes një njoftimi, ka bërë më dije se në këtë turne prestigjioz të boksit Kosova do të përfaqësohet me dy garues.
“Ekipi ynë do të përfaqësohet me Donjeta Sadikun (60 kg), e cila do të udhëhiqet nga u.d. e selektores Marjola Sallauka në konkurrencën e femrave, kurse te meshkujt do të jetë Shpëtim Bojku në kategorinë 70 kg, i cili do të udhëhiqet nga elektori Faton Xhakli”, thuhet në njoftimin e FBoxK-së.
Sipas këtij njoftimi, drejtësinë do të ndajë gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli, derisa pjesë e kësaj gare do të jenë më shumë së 30 shtete.
“Sipas nikoqirit, pjesëmarrës do të jenë më shumë se 30 shtete. Ngjarja më e madhe ndërkombëtare e Holandës, edicioni i 8-të i ‘Eindhoven Box Cup’, do të mbahet për boksierët elitë femra dhe meshkuj, turne që nis nesër dhe zgjat pesë ditë”, theksohet në njoftimin e FBoxK-së.
