Haxha i lumtur që është ftuar te Kosova: Stërvitjet janë intensive, duhet marrë seriozisht ndeshjet miqësore

Haxha i lumtur që është ftuar te Kosova: Stërvitjet janë intensive, duhet marrë seriozisht ndeshjet miqësore

Sport June 02, 2025 - 15:39

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor, kundër Armenisë dhe Komoreve.

Florian Haxha, pas stërvitjes, u shpreh i lumtur për ftesën e parë nga Kosova dhe tejet i motivuar për ndeshjet e radhës.

“Fillimisht, jam shumë i lumtur për ftesën nga Kombëtarja e Kosovës. Tashmë kemi përfunduar stërvitjen e dytë, e cila ishte shumë intensive dhe besoj se nga nesër do të fillojmë përgatitjet për ndeshjen kundër Armenisë”.

“Si për mua, ashtu edhe për ekipin, është shumë e rëndësishme që t’i marrim seriozisht këto ndeshje dhe të fitojmë, sepse janë përgatitje për kualifikimet e Botërorit”, tha Haxha.

Kosova do të përballet me Armeninë më 6 qershor dhe me Komoret më 9 qershor. Të dyja këto ndeshje do të fillojnë në orën 19:00 dhe do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Me këto dy miqësore, Kosova synon të përgatitet për ciklin kualifikues të Botërorit, i cili do të fillojë në muajin shtator, teksa Dardanët garojnë në Grupin B, me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

\