
Al Khelaifi e përmbushi misionin e tij me PSG-në, presidenti i parisienëve me fjalë të mëdha pas triumfit në LK
Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, ka festuar me emocione të mëdha fitoren historike 5-0 ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve në Allianz Arena.
Triumfi i madh i dha PSG-së titullin e parë në këtë garë, pas shumë vitesh përpjekjesh dhe zhgënjimesh në Evropë.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë fitore madhështore. Është një moment historik për PSG-në, futbollin francez dhe qytetin e Parisit”, tha Al-Khelaifi.
Ai vlerësoi përkushtimin dhe frymën e bashkuar që çoi klubin në këtë sukses. “Ky është kulmi i një pune të përbashkët shembullore”.
Presidenti i PSG-së nuk la pa falënderuar lojtarët, trajnerin Luis Enrique, drejtorin sportiv Luis Campos dhe të gjithë stafin që kanë ndërtuar këtë projekt ambicioz.
“Ky trofe i përket tifozëve tanë të përkushtuar dhe të gjithë atyre që nuk hoqën dorë nga ëndrra jonë evropiane”, shtoi ai.
Në fund, Al-Khelaifi theksoi se ky sukses është për të gjitha brezat që kanë qenë pjesë e historisë së PSG-së dhe se ky është një nder i madh për qytetin e Parisit.
“Ky titull është për të gjitha brezat e lojtarëve, trajnerëve dhe udhëheqësve që formësuan historinë e PSG-së. Është një gëzim dhe nder i madh për Parisin, institucionin tonë dhe të gjithë ata që kanë mbështetur kuqeblutë gjatë viteve”, tha Al-Khelaifi. /Telegrafi/