Ngrihen dyshime se biletat e UEFA-s për FFK-në, po shiten në tregun e zi deri 7000 euro

Ngrihen dyshime se biletat e UEFA-s për FFK-në, po shiten në tregun e zi deri 7000 euro

Sport May 31, 2025 - 22:06

Në prag të finales së madhe të Champions League, një reagim publik nga biznesmeni dhe sponsori i njohur i futbollit kosovar, Remzi Ejupi, ka reaguar ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Përmes një postimi në Facebook, ai ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si FFK-ja menaxhon biletat e ndara nga UEFA për këtë ngjarje të rëndësishme evropiane.

"UEFA ndan çdo vit një numër të kufizuar biletash për federatat kombëtare për finalen e Champions League. Edhe këtë vit, Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë 50 bileta. Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Ku janë këto bileta?" – shkruan Ejupi.

Ai më tej shton se mungesa e një liste publike dhe transparencës mbi shpërndarjen e këtyre biletave, vetëm sa ushqen dyshimet për keqpërdorim dhe përfitime të padrejta nga zyrtarë brenda institucionit.

"Kush po i përfaqëson qytetarët e Kosovës në këtë ngjarje madhore të futbollit evropian? A ekziston një listë zyrtare, apo gjithçka është ndarë në heshtje, siç ndodh zakonisht?", vazhdon ai.

Ejupi thekson se në të kaluarën ka pasur raste kur biletat janë shpërndarë pa asnjë njoftim publik, ndërsa në tregun e zi çmimi i tyre ka arritur deri në 7,000 euro për copë – një fakt alarmues që ngre dyshime për shitje të fshehta apo përdorim për përfitime personale.

"Nuk po kërkoj asgjë më shumë se transparencë. Federata duhet të tregojë si i menaxhon këto bileta, kë përzgjedh dhe me çfarë kriteresh”, shkruan Ejupi

Përmes këtij statusi, Ejupi jo vetëm që i drejton një thirrje publike FFK-së, por edhe ngre një debat të rëndësishëm për qeverisjen dhe etikën në sportin kosovar.

"Futbolli nuk është pronë private. Ai u përket atyre që e zhvillojnë, e ndjekin dhe e duan, dhe jo atyre që e shfrytëzojnë për interesa të ngushta. Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka asnjë arsye për të heshtur.", shkruan ai. /Zëri

\