“Nga sfida në majë”, Drilon Hajrizi tregon vështirësitë deri te shpallja kampion

“Nga sfida në majë”, Drilon Hajrizi tregon vështirësitë deri te shpallja kampion

Sport May 24, 2025 - 16:59

Basketbollisti mitrovicas, Drilon Hajrizi ka reaguar me një shkrim emocionues duke treguar problemet e tij shëndetësore dhe luftën e tij për t’u rikthyer në palestër dhe për të fituar titullin kampion me Trepçën.

Trepça u shpall kampione e Kosovës në basketboll, pasi e mposhti në finale Bashkimin me një seri prej 4-2.

Njëri nga më meritorët e këtij suksesi të “Minatorëve” padyshim se ishte basketbollisti Drilon Hajrizi, i cili në fillim të sezonit pati probleme të mëdha shëndetësore.

Është vet Hajrizi, i cili ka reaguar me anë të një postimi emocionues duke treguar vështirësitë dhe rrugën deri te suksesi, teksa nuk ka harruar t’i falënderoj të gjithë ata që i pati afër.

Postimi pa ndërhyrje i Drilon Hajrizit

Nga sfida në majë, KAMPION!

Sezoni nuk nisi me një gjuajtje, por me një goditje. Jo në fushë, por në shëndet. Ishte një sprovë që më tronditi deri në palcë dhe më vuri përballë pyetjes më të vështirë: a do të mundem të rikthehem?

Por nuk isha gati të largohem nga loja. Çdo ditë rikuperimi ishte si një pikëz shprese, si një hap drejt parketit, drejt ëndrrës sime që vlonte brenda meje. Dhe kur u ktheva, nuk kisha ardhur vetëm për të luajtur. Kisha ardhur për të fituar.

Kupë pas kupe, sfidë pas sfide, djersë pas djerse… deri sot, sërish: kampion.

Falënderoj Zotin e Madhërishëm për shëndetin, rikthimin dhe suksesin. Ky moment është më shumë se një fitore sportive, është një dëshmi e gjallë se besimi dhe këmbëngulja i japin kuptim çdo rikthimi. Faleminderit familjes për dashurinë e pakushtëzuar, ekipit për besimin, trajnerëve për durimin, menaxhmentit për mbështetjen e palëkundur dhe secilit që më pa jo vetëm si lojtar, por si luftëtar.

Gjuha e kampionit nuk mësohet në libra. Ajo shkruhet me mund, lexohet me shpirt dhe flitet vetëm nga ata që guxojnë të mos dorëzohen.

Ky titull është për të gjithë ata që ecin përpara edhe kur rruga është e pjerrët, sepse zemrat e mëdha nuk ndalen kurrë, për sa kohë vazhdojnë të rrahin!

Urime Mitrovicë!

DH12

\