
Si ne Korenë Veriore! - Trepça – Bashkimi 82:67
Trepça – Bashkimi 82:67
Ky ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes së gjashtë finale për titullin e kampionit, ku skuadra e Trepçës u shpall kampione.
Çfarë solli kjo ndeshje e gjashtë finale në pallatin e sporteve “Minatori”?
Atmosferë impozante – gati si në ndeshjet e NBA-së! Por loja, sidomos në 20 minutat e para, ishte e mërzitshme, me aksione individuale dhe goditje të shumta nga distanca. Ndërsa në pjesën e dytë, loja u bë edhe më zhgënjyese: pa imagjinatë, pa koncept, me lëvizje të ngadalta në parket dhe tentime të dështuara për trepikësha, sidomos nga ana e Bashkimit. U harrua se basketbolli është një lojë kolektive.
Referimi nga gjyqtarët e huaj ishte i dobët – me verifikime të shpeshta në “VAR”, të cilat ndikuan negativisht në ritmin e lojës.
Trajneri i Bashkimit, Saša Jovanovië nga Serbia, nuk arriti ta “zinte në grackë” trajnerin Beqiragiq nga Bosnja e Hercegovina. Megjithatë, të dy trajnerët dukeshin të kënaqur dhe të shushatur nga pagesat marramendëse që merrnin – si të ishin duke punuar në Kuvajt.
Kur e marrim parasysh faktin se ekipet kosovare, edhe në këtë kampionat si në ato të mëparshmit në 24 vitet e fundit, përbëhen në mbi 90% nga lojtarë të huaj, atëherë kjo nuk është gjë tjetër veçse shpëlarje truri.
Pse u ndryshua sistemi i garave?
Një bord ilegal ka sunduar basketbollin kosovar për 24 vite, duke e sjellë në gjendje të mjerueshme, pa asnjë perspektivë për përfaqësuesen shtetërore në garat ndërkombëtare. Pse?
Sepse në kampionatin vendor 90% e lojtarëve janë të huaj, trajnerët të huaj, referët po ashtu të huaj, ndërsa publiku mobilizohet vetëm në finale, siç pamë në ndeshjen e gjashtë. Tani kampioni shpallet pas katër fitoreve të arritura – sistem që nuk zbatohet në asnjë vend të Europës. I vetmi shtet në botë që e përdor këtë sistem është Koreja e Veriut!
Pse ky krahasim me Korenë e Veriut?
Në Kupën e Botës në futboll më 1966 në Angli, Koreja e Veriut u eliminua në fazën e grupeve, por diktatori i atëhershëm u imponoi qytetarëve narrativën se shteti e fitoi titullin botëror. Propaganda dhe mbyllja mediatike bënë që edhe sot, pas 59 vitesh, shumë koreanë të jenë të bindur në këtë “sukses”.
E mora këtë shembull sepse Federata e Basketbollit të Kosovës po funksionon në të njëjtin model. Për 24 vite, kuvendet zgjedhore janë të manipuluara. Të njëjtit njerëz sundojnë për dekada, pa asnjë kontroll financiar nga shteti. FIBA nuk reagon sepse, sipas perceptimeve të shumëkujt, është nën ndikimin e Serbisë. Dhe tashmë duket se ata e kanë arritur qëllimin e tyre.
Çfarë kemi arritur në arenën ndërkombëtare?
Në 24 vite, basketbolli i Kosovës asnjëherë nuk ka kaluar fazat parakualifikuese në garat ndërkombëtare. Jemi të përqendruar vetëm në garat vendore – një model i izolimit, që i shërben vetëm një grupi të vogël njerëzish dhe që çon në një shpëlarje masive të trurit, veçanërisht te të rinjtë.
Këtë sezon, Trepça dhe Bashkimi u përballën nëntë herë: dy herë në kampionat, një herë në Kupë dhe gjashtë herë në finale. Kjo është monotoni, jo sport garues! A e keni vërejtur që në ndeshjet vendore po intonohet himni i Kosovës? Kjo ndodh vetëm në gara ndërkombëtare dhe është përpjekje për të mbuluar dështimin total, për të justifikuar milionat e shpenzuara nga taksapaguesit – pa llogaritur paratë e pista të oligarkëve që financojnë klubet dhe bëjnë pastrim parash.
Dekori, koreografia dhe spektakli artificial
E gjithë vëmendja është përqendruar në spektaklin vizual – me koreografi, xixa, dhe “shou” final – të financuar nga agjencione që kujdesen që në finale të jenë të pranishëm përfaqësues të pushtetit. Me dorëzimin e kupës, u mbyllet goja të gjithëve dhe heshtet për abuzimet e mëdha. Ndërkohë, mediat janë të kapura nga të njëjtët oligarkë që financojnë klubet dhe, nëpër studio televizive, tashmë përballë gazetarëve, gënjejnë me vetëdije, sepse e dinë se askush nuk guxon të kërkojë të vërtetën.
Përfundim
Këto ditë, Federata del me një komunikatë zyrtare ku flet për “suksese të mëdha të basketbollit kosovar”. Por populli e di të vërtetën dhe për këtë situatë ka një shprehje popullore që përshkruan gjithçka: “M'ruve t'ruva, brisku i berberit.”