Shkëndija feston titullin, Besa në balotazh

Shkëndija feston titullin, Besa në balotazh

Sport May 17, 2025 - 19:22

Është mbyllur sezoni 2024/25 me javën e 33-të, ku Shkëndija u shpall kampione dy javë para fundit, ndërsa fitorja e Besës ndaj Pelisterit nuk mjaftoi dhe mbijetesa do të kërkohet përmes balotazhit, njofton Telegrafi.

Sezoni 2024/25 i Ligës së Parë të Maqedonisë ka përfunduar zyrtarisht, me Shkëndijën e Tetovës që dy javë para fundit kishte siguruar matematikisht titullin kampion, duke mbyllur çdo dilemë në kreun e tabelës. Tifozët e zjarrtë “Ballistët” kishin organizuar një festë të jashtëzakonshme në Tetovë për të përshëndetur kampionët, pavarësisht se ndeshja e fundit ndaj Sileksit u mbyll me humbje 1-3.

Image

Sileksi shënoi dy herë në pjesën e parë me Gjorgjievskin, ndërsa Shkëndija zbuti rezultatin në pjesën e dytë me një gol nga Fiton Ademi. Megjithatë, rezultati kishte pak rëndësi në një atmosferë të mbushur me fishekzjarrë, flamuj dhe këngë që kremtonin një sezon dominues të Shkëndijës.

Image

Ndërkohë, sytë ishin drejtuar nga Manastiri dhe Strumica, ku përcaktohej fati i skuadrave që luftonin për mbijetesë. AP Brera siguroi një fitore dramatike 3-2 ndaj Rabotniçkit, duke i dhënë vetes edhe një vit në elitë. Në anën tjetër, Besa e Dobërdollit arriti një fitore të thellë 1-4 ndaj Pelisterit në transfertë, por kjo nuk mjaftoi për t’u shpëtuar nga balotazhi. Tani, Besa do të kërkojë qëndrimin në Ligën e Parë përmes një ndeshjeje vendimtare, ndërsa kundërshtari i saj do të mësohet nesër, pas përfundimit të sezonit në Ligën e Dytë. Takimi ndërmjet Tikveshit dhe Strugës u mbyll në barazim 3-3, pa ndonjë ndikim në pozitat përfundimtare të tabelës.

Rezultatet e javës së 33-të: Shkëndija – Sileksi 1:3, Pelisteri – Besa 1:4, Tikveshi – Struga 3:3 dhe AP Brera – Rabotniçki 3:2.

Sezoni 2024/25 mbyllet me Shkëndijën në majë si kampione e padiskutueshme dhe me “Ballistët” krenarë për një tjetër trofe të madh, i pesti si kampion. Sileksi dhe Ranotniçki do të përfaqësojnë vendin në garat evropiane, ndërsa drama për mbijetesë vazhdon për Besën, e cila do të ketë edhe një mundësi të fundit për të ruajtur statusin në elitë. /Telegrafi/

Image
\