
Grumbullohen grup-moshat e Kosovës te meshkujt
Përfaqësueset e Kosovës te grup-moshat e reja në konkurrencën e meshkujve i kanë filluar përgatitjet për garat e rëndësishme që i presin gjatë verës.
Kosova U-20 dhe U-18 janë grumbulluar të mërkurën, derisa U16 të premten (sot) në palestrën “1 Tetori”.
Ky është vetëm fillimi i përgatitjeve dhe pasi javën e ardhshme do të ketë grumbullime të radhës, e grumbullimet do të vazhdojnë deri gjatë verës, kur lista do të shkurtohet dhe do të përzgjidhen basketbollistët që do të jenë pjesë e përgatitjeve intensive.
Ditë më parë janë emëruar edhe trajnerët dhe ndihmëstrajnerët që do të drejtojnë grupmoshat e reja te meshkujt. Ata do të vëzhgojnë nga afër përgatitjet për të parë formën e lojtarëve dhe për të përzgjedhur basketbollistët më të mirë për një përfaqësim sa më dinjitoz në garat evropiane.
U-20 te meshkujt janë në Grupin D, së bashku me Turqinë, Suedinë, Hungarinë dhe Shqipërinë. Divizioni B në konkurrencën e meshkujve do të mbahet në Yerevan të Armenisë nga 11 deri më 20 korrik.
U-18 i meshkujve do të përballet me Hungarinë, Zvicrën, Finlandën, Estoninë dhe Çekinë. Divizioni B i U18 te meshkujt do të organizohet nga 25 korriku deri më 3 gusht në Pitesti në Rumani.
U-16 meshkujt janë shortuar në Grupin C, ku do të përballen me Holandën, Kroacinë, Danimarkën, Islandën dhe Ukrainën. U-16 meshkujt marrin pjesë në Divizionin B, në Shkup të Maqedonisë Veriore. Ky kampionat organizohet nga 7 deri më 16 gusht. /Zëri